
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Tryeza e diskutimit “Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë dhe Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.
Ky aktivitet u bashkëorganizua nga Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Evropës, me pjesëmarrjen drejtuesve më të lartë të sistemit të drejtësisë në vend dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, me fokus harmonizimin e praktikës gjyqësore shqiptare me standardet evropiane.
Gjatë sesionit zyrtar të hapjes, tryeza u përshëndetet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re, si dhe Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Olsian Çela.
Në fjalën e tij hapëse, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, theksoi rëndësinë e qasjes së re ndaj masave të sigurimit, duke nëvizuar:
“Në thelb, mesazhi i vendimit është i qartë: arresti në burg nuk duhet të jetë një reagim automatik. Rëndësia e akuzës, natyra e veprës apo masa e dënimit të parashikuar nga ligji janë elemente që duhen vlerësuar, por asnjëri prej tyre nuk e bën arrestin në burg një përfundim të vetëkuptueshëm. Privimi i lirisë duhet të mbështetet në rrethanat konkrete të çështjes, në ekzistencën e një rreziku real dhe në domosdoshmërinë e masës.”
Në qendër të punimeve të kësaj tryeze ishte dhe paneli i diskutimit me temë “Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë për masat e sigurimit dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”. Kjo temë u trajtua dhe analizua nga z. Darian Pavli, gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe z. Ilir Panda, Kryetar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Pas bashkëbisedimit dhe diskutimeve të hapura me pjesëmarrësit, aktiviteti u mbyll me prezantimin e "Përmbledhjes së Jurisprudencës së Gjykatës së Lartë" dhe fjalën përmbyllëse të znj. Giulia Re.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al

Gjykata e Lartë









